Kur flasim për politikën, ajo çfarë na bie ndër mend është zakonisht qeveria, parlamenti ose institucionet. Mirëpo, politika, kështu si e trajtoj në këtë ligjëratë, ka një kuptim tjetër, do të thotë është mënyra se si diçka trajtohet, vizionohet dhe shpërndahet nga lart-poshtë, pra nga institucionet dhe mekanizmat e tjerë. Kjo nënkupton se edhe mënyra se si e paramendojmë të ardhmen, diçka që pavarësisht se përjetohet si afektive, personale dhe intime, është në fakt politike, e cila seleksionohet, vizionohet dhe shpërndahet ndër tjera, edhe nga strukturat politike.
Shtetësia e Kosovës ka qenë një moment shpërthyes i optimizmit të sponsorizuar nga shteti dhe raportet gjeopolitike, kur është premtuar se e ardhmja kolektive do të jetë më e mirë se e tashmja dhe e kaluara. Pra, shtetësia e Kosovës ka qenë një moment kur u prodhua dhe u shpërnda shumë shpresë. Kjo shpresë iu ofrua veçanërisht grave dhe vajzave të reja, pasi profile të caktuara të tyre zunë rol të rëndësishëm në imagjinatën kombëtare si subjekte ideale reprezentuese të vetë kombit. Kjo tregon për gjinizimin e projektit të shtet-ndërtimit të Kosovës.
Diskurset, mekanizmat politikë, juridikë, vizualë e simbolikë, i shërbejnë qëllimit të krijimit të një modeli të ri të subjektit nacional. Këto mekanizma i premtojnë publikut të synuar, pra grave dhe vajzave të reja, se përfshirja e tyre në projektin shtet-kombit do të mundësojë arritjen e disa prej shtyllave të suksesit neoliberal, mobilitetit social dhe përkatësisë kombëtare njëkohësisht.
Pa marrë parasysh faktit se në këto vizione vajzat dhe gratë e reja janë përzgjedhur si subjekte politike dhe historike dhe si një forcë për ndërtimin e shtetit, këto premtime nuk ndodhin dhe as nuk mbesin në një hapësirë vakumi. Ato zbatohen në realitetet ekzistuese sociale, ekonomike, gjeografike dhe gjinore, në të cilat individët negociojnë përkatësinë në projektin e shtet-ndërtimit dhe përpiqen të ndërtojnë të ardhmet e tyre gjinore.
Pa marrë parasysh faktin se në këto vizione vajzat dhe gratë e reja janë përzgjedhur si subjekte politike dhe historike dhe si një forcë për ndërtimin e shtetit, këto premtime nuk ndodhin dhe as nuk mbesin në një hapësirë vakumi. Ato zbatohen në realitetet ekzistuese sociale, ekonomike, gjeografike dhe gjinore, në të cilat individët negociojnë përkatësinë në projektin e shtet-ndërtimit dhe përpiqen të ndërtojnë të ardhmet e tyre gjinore.
Hulumtimi im etnografik në teren tregon se realitetet, pritshmëritë dhe nevojat reale gjinore dhe klasore shpeshherë bien ndesh me këtë ideal të premtuar. Çfarë mund të observohet në teren, megjithatë, është një konfigurim i shpresave dhe aspiratave gjinore, përmes së cilave ri-imagjinohen pozicionet gjinore.
Por, këto ri-imagjinime janë në një vijë me idealet kulturore të feminitetit të respektuar. Në aspektin gjinor, vetë-vlerësimi dhe integrimi shoqëror janë thellësisht të lidhura me jetën familjare, e cila mbetet shenja kryesore e arritshmërisë së statusit si grua e rritur dhe e respektuar në shoqëri.
Kjo do të thotë se subjekti ideal nacional në fakt më së miri i përshtatet profileve të caktuara të grave të reja, të cilat për shkak të prapavisë socio-ekonomike, janë të pozicionuara më favorshëm për të realizuar këtë ideal shoqëror dhe nacional dhe për të arritur përkatësinë në projektin kolektiv të shtet-ndërtimit.
Tek rasti i Mitrovicës post-industriale haset edhe një aspekt tjetër, i cili e komplikon shpërndarjen e shpresës dhe orientimin kah e ardhmja, jo vetëm në aspektin gjinor, por edhe atë kolektiv.
Për shkak se, falë Trepçës, Mitrovica ka qenë relativisht mirë e inkuadruar në modernizmin socialist në krahasim me disa qytete tjera të Kosovës, ajo fitoi rëndësi ekonomike dhe simbolike si shenjëzuese e progresit socialist.
Pas-lufta e ndërroi këtë orientim dhe simbolikë. Ndërrimi i sistemit për Mitrovicën u manifestua jo vetëm në ndarje të qytetit, por edhe mbyllje pothuajse të tërësishme të kapaciteteve industriale në të cilën ishte mbështetur jetesa, identiteti, dinjiteti dhe vizioni i qytetit.
Kjo nënkupton se qyteti përjetoi një periferzimin në nivel nacional, po kështu edhe në aspekt kohor, dhe një shuarje të aspiratës për modernitetin industrial, i cili iu kishte premtuar. Në anën tjetër, për shkak të zhvillimeve politike dhe ekonomike, përfshirja në vizionin e sistemit të ri politik, atë të shtetit të Kosovës, ishte e brishtë. Prandaj, krahas pasigurisë dhe mungesës së orientimit të qytetit kah një e ardhme e qartë, ri-industrializimi shpesh herë paraqitet si shpresë retrospektive për një jetë kolektive dhe individuale më të mirë.
*Foto nga ligjerata e tretë feministe me Dr. Rozafa Berisha me temën “Politika e shpresës dhe praktikat gjinore në Mitrovicën post-industriale.