Gjinia, seksi dhe seksualiteti edhe sot ende mbeten fushat ku zhvillohen betejat më të ashpra politike. Qysh kur shkenca i sekularizoi metodat dhe praktikat fetare duke i shndërruar ato në shkencore, seksi biologjik apo ai ligjor mbeten të vërtetat e individit, ashtu siç argumentonte Michel Foucault.
Me ardhjen në qeverisje të pushteteve autoritariane, nacionaliste, në shumë vende në botë dhe ngritjen e grupeve të ekstremit të djathtë, grupe këto që shumë shpesh janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me pushtetet qeveritare, me institucionet shtetërore dhe fetare, me partitë politike, tifozët e grupet kriminale, cak i parë i tyre u bënë të drejtat dhe autonomia e grave, shëndeti i tyre riprodhues, të drejtat dhe liritë e personave LGBTQIA+, pakicat etnike, kulturore e imigrantët.
Këto grupe janë cak i autoritarianëve dhe ekstremit të djathtë sepse për to pastërtia e gjakut dhe racës janë vlera supreme, të cilat kërcënohen nga gratë që lindin fëmijë pa partner, nga bashkëjetesa e personave LGBTQIA+, të cilët kanë të drejtën të rrisin fëmijë, nga të drejtat e barabarta që u takojnë pakicave të ndryshme dhe imigrantëve, etj.
Përmes përcaktimit të politikave të natalitetit, të të drejtave e lirive, dhe përkufizimeve ligjore e administrative të shtetësisë, këto grupe duan të përcaktojnë se kush ka të drejtë të përkas në racën superiore dhe kush përbën kërcënim, i cili nëse nuk mund të zhduket të paktën duhet të shtypet e mbahet nën kontroll.
Këtë qasje biologjiste, Foucault ia atribuonte shekullit të nëntëmbëdhjetë gjatë të cilit u formësuan edhe politikat e biopushtetit, që e kishin cak mirëmbajtjen dhe zhvillimin e jetës, edhe lindi një formë e re racizmi i cili në emër të jetës dhe përsosjes së racës mundësonte zhdukjen e atyre që i shihte si kërcënim biologjik. Këtë paradoks të nxitjes së jetës dhe zhdukjes së saj për ta mbrojtur racën, Foucault e shihte më së qarti të demonstruar në politikat e Gjermanisë naziste.
Për pushtetet nacionaliste-autoritariane, institucionet fetare dhe grupet e ekstremit të djathtë, kërcënimi biologjik ndaj racës vjen nga politikat gjinore të cilat ata i fajësojnë për të gjitha të këqijat dhe problemet e botës bashkëkohore.
Judith Butler argumenton në librin e saj të fundit “Who’s Afraid of Gender” (Kush ka frikë nga gjinia), se këto grupe ekstremiste i fusin të gjitha problemet dhe frikën reale të njerëzve si papunësia, mungesa e perspektivës ekonomike, inflacioni, lufta, ndryshimet klimatike, etj., nën flamurin e “anti-gender” (anti-gjinisë) duke e krijuar atë që Butler e quan “fantazma e gjinisë”.
Duke ia ngjitur fantazmës së gjinisë të gjitha problemet reale e të perceptuara, grupet ekstremiste synojnë që t’i bëjnë njerëzit të rreshtohen prapa tyre dhe mos t’ua dyshojnë autoritetin. Kësisoj politikat gjinore, grupet dhe lëvizjet që angazhohen për to, akademikët dhe shoqëria civile, paraqiten nga grupet ekstremiste, e pushtetet fetare e autoritariane, si kërcënim për sigurinë kombëtare, si kërcënim për njeriun e vetë civilizimin, për familjen e rolet gjinore tradicionale, si kërcënim për të rinjtë e fëmijët, dhe për nxitjen e lloj-lloj perversiteteve të supozuara.
Duke e projektuar një të kaluar të supozuar patriarkale, në të cilën thuhet se kishte rend, ligj e rregull, grupet ekstremiste jo vetëm që kërkojnë t’ua kufizojnë të tjerëve mënyrat e të shprehurit të trupave të tyre në mënyrën që e shpreh më së miri atë sesi ata ndjehen, por edhe ta kufizojnë atë shprehje vetëm në rolet dhe familjen tradicionale, në një shoqëri të patriarkatit si në familje ashtu edhe në shtet.
Thjeshtëzimi i çdo kompleksiteti njerëzor e historik, i mënyrës së shumëllojtë të ekzistencës së trupave, dhe mohimi i këtyre mënyrave dhe të drejtave e lirive, e bën Butlerin që të pyetet se çfarë forme e imagjinatës kritike do të ishte mjaftueshëm e fuqishme që ta mposhtim këtë fantazmë, që t’i mposhtim normat mizore e prirjet sadiste që mishërohen nga ideologjia e anti-gjinisë?
Foto nga ligjërata e nëntë feministe me temën: “Fantazma e gjinisë dhe seksualitetit në Kosovë”, ligjëruar nga Alban Bokshi.