Këtë tetor, teksa e gjithë bota bashkohet në luftën kundër kancerit të gjirit, ne si Fourth Wave qëndrojmë në solidaritet me të mbijetuarat/it e kësaj sëmundjeje dhe me të gjithë ata që luftojnë dhe refuzojnë që të mposhten nga kjo sëmundje. Kanceri i gjirit përtej një beteje shëndetësore është një luftë për jetën dhe shpresën—një luftë që duhet ta fitojmë së bashku.
Në Kosovë, kanceri i gjirit mbetet një nga format më të diagnostifikuara të kancerit tek gratë. Çdo vit raportohen qindra raste të reja dhe tragjikisht shumë humbin jetën për shkak të zbulimit të vonë dhe mbështetjes shtetërore të pamjaftueshme. Zbulimi i hershëm shpëton jetë, andaj fushata ndërgjegjësuese duhet të ketë përgjatë tërë vitit dhe jo vetëm në tetor. I bëjmë thirrje akterëve qeverisës relevant të Kosovës që të ndërmarrin veprime afatgjata, ku parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit të gjirit janë prioritet gjatë gjithë vitit.
Ne kemi nevojë për fushata të vazhdueshme edukimi në shkolla, vendet e punës dhe hapësirat tjera publike për të inkurajuar ekzaminimet e rregullta dhe që ata të cilët e zbulojnë herët, të kenë mundësi të shpëtojnë nga kjo sëmundje. Ne kemi nevojë për kujdes shëndetësor më të përballueshëm për ata që luftojnë këtë sëmundje, duke siguruar që askush të mos mbetet pa trajtim për shkak të gjendjes socio-ekonimike. Poashtu, shumë e rëndësishme është që gratë dhe burrat të kenë burimet dhe mbështetjen për shëndetin mendor që u nevojitet për tu rikuperuar nga dëmtimi fizik dhe emocional që shkakton kanceri i gjirit.
Për çdo grua dhe burrë në Kosovë dhe më gjerë që është përballur me këtë sëmundje, ne ju themi: ju nuk jeni vetëm. Forca juaj na frymëzon të gjithëve.