1. Ligjeratat

Gratë në media

Përfshirja dhe dukshmëria e gazetareve në Kosovë, veçanërisht në raportimin nga terreni, nxjerr në pah një paradoks që është i pranishëm edhe në nivel global. Në Kosovë, gratë dominojnë raportimin në rrjetet televizive, shpesh duke mbuluar situata të rrezikshme dhe të tensionuara, siç janë tensionet e vazhdueshme në veri të vendit.

Ato mbulojnë protesta, ngjarje politike dhe tema të tjera ditore që tradicionalisht kanë qenë fusha të mbizotëruara nga burrat. Kjo rritje e numrit të gazetareve që mbulojnë politikën është një hap pozitiv, duke thyer barrierat gjinore që kanë ekzistuar prej kohësh.

Megjithatë, kjo dukshmëri në terren shpesh zhduket kur bëhet fjalë për diskutime më të thelluara, veçanërisht në emisionet e debatet politike të mbrëmjeve ku panelet dominohen nga burrat. Kjo reflekton një problem më të gjerë në nivel global: gratë përballen me sfida të mëdha për t’u njohur si eksperte dhe për të marrë pjesë në hapësira të mediave që zakonisht janë të rezervuara për burrat.

Edhe në Kosovë, pas edicioneve të lajmeve të mbrëmjes, panelet e ekspertëve burra dominojnë diskutimet, duke përforcuar stereotipet gjinore dhe duke dërguar mesazhin se zërat dhe kontributet e grave janë më pak të vlefshme në analizën e çështjeve politike apo sociale. Ky disbalancim shtrembëron diversitetin e perspektivave të paraqitura në publik dhe vazhdon të krijojë një pamje të njëanshme të dinamikave shoqërore.

Gratë shpesh përjashtohen nga diskutimet për tema si politika, ekonomia apo çështje “të mëdha”, për shkak të stereotipeve të rrënjosura gjinore. Këto stereotipe sugjerojnë që gratë janë më pak të ditura, dhe kanë më pak autoritet në këto fusha. Gjithashtu, pritshmëritë shoqërore vendosin një barrë më të madhe për punën e papaguar të kujdesit mbi gratë, duke reduktuar kohën që mund të kenë për angazhime publike si debatet televizive.

Një faktor i rëndësishëm që dekurajon pjesëmarrjen e gazetareve dhe grave të tjera në sferën publike është ekspozimi i tyre i madh ndaj dhunës online, veçanërisht pas paraqitjeve të tyre në televizion. Shumë gra përballen me komente seksiste dhe mizogjiniste, të cilat variojnë nga fyerjet për pamjen e tyre, veshjen dhe gjuhën e trupit, deri te sulmet ndaj kualifikimeve të tyre profesionale. Kjo formë e dhunës online zvogëlon prezencën e tyre profesionale, duke e reduktuar atë në gjykime sipërfaqësore mbi pamjen e tyre dhe jo mbi përmbajtjen e punës që ato kryejnë.

Në një ambient kaq toksik për gratë që dëshirojnë të marrin pjesë në emisione të ndryshme, lidershipi mediatik i dominuar nga burrat kontribuon në mospjesëmarrjen e tyre. Mediat janë kryesisht të udhëhequra nga burra në pozita kyçe, të cilët vendosin se kush del në debate, dhe përpjekjet e tyre, nëse ekzistojnë, për përfaqësim më të mirë gjinor, ende nuk kanë sjellë vizibilitet më të madh për gratë.

Mediat duhet të përpiqen në mënyrë aktive të ftojnë gratë për të marrë pjesë në debate, veçanërisht në tema ku zërat e tyre janë zakonisht të nën-përfaqësuar, si politika apo ekonomia. Po ashtu, udhëzime të qarta për panelet e balancuara gjinore do të siguronin përfaqësim të drejtë. Gratë duhet jo vetëm të jenë të pranishme, por edhe të kenë kohë të barabartë dhe respekt në debate, dhe kjo duhet të bëhet një politikë e moderatorëve, redaktorëve dhe producentëve të emisioneve.

Mungesa e modeleve të dukshme të grave në debatet publike i dekurajon ato nga pjesëmarrja. Kur gratë nuk shohin të tjera në këto role, ato mund të ndihen se këto platforma nuk janë për ta. Është thelbësore që mediat të adresojnë pabarazitë gjinore në debatet publike televizive.

Duke eliminuar barrierat si stereotipet, diskriminimin dhe mjediset armiqësore, dhe duke mbështetur e ftuar gratë në këto hapësira, media mund të sigurojë një diskurs më të larmishëm dhe përfaqësues. Kjo jo vetëm që i sjell përfitime grave, por gjithashtu pasuron debatin publik duke sjellë në pah një gamë më të gjerë perspektivash.
Duke ndërmarrë këto hapa, organizatat mediatike mund të luajnë një rol kyç në promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e cilësisë së gazetarisë.

Sa i përket sigurisë në vendin e punës, një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen gazetaret në mbarë botën, përfshirë Kosovën, është ngacmimi seksual. Një studim i kryer i para dy viteve nga Peaceful Change Initiative zbuloi se 26.4% e gazetareve në Kosovë, ose një në tri, kanë raportuar përjetimin e ngacmimit seksual në vendin e punës.

Kjo përputhet me statistikat globale, të cilat tregojnë se gratë në media, veçanërisht ato në fillim të karrierës së tyre, shpesh janë viktima të ngacmimeve seksuale, qoftë nga burrat në redaksi apo gjatë punës në terren.
Ngacmimi seksual është abuzim me pushtetin dhe privilegjin. Andaj media ka një rol kritik për të luajtur në luftimin e ngacmimit seksual dhe në llogaridhënien e abuzuesve të pushtetit. Në vend të kësaj, shumë shpesh mediet bëhen bashkëfajtore në lejimin e vazhdimit të këtyre abuzimeve, duke krijuar një kulturë toksike frike dhe heshtjeje që minon sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve.

Media, në këtë rast drejtorët/et, kryeredaktorët/et dhe pozitat tjera udhëheqëse brenda medias, duhet të mbajnë një qëndrim dhe të vendosin udhëzime të qarta për raportimin e ngacmimeve seksuale. Ata/ato duhet të ofrojnë mbështetje dhe burime të sigurta për viktimat, dhe t’i mbajnë autorët përgjegjës për veprimet e tyre. Është thelbësore që udhëheqësit/et e mediave ta pranojnë që ngacmimet seksuale jo vetëm që e rrezikojnë integritetin e grave, por edhe e parandalojnë redaksitë që t’i bashkohen luftës globale kundër këtij diskriminimi gjinor në vendin e punës.

Moshizmi dhe mungesa e mbështetjes për gazetaret që janë nëna janë probleme të tjera që shtojnë diskriminimin me të cilin përballen gratë. Studimi i Peaceful Change Initiative tregoi që gratë mbi 55 vjeç dhe ato më të reja raportojnë diskriminim për shkak të moshës, gjë që ndikon në përfaqësimin e tyre të pamjaftueshëm në redaksi.
Ky është një trend global, ku gratë, veçanërisht ato me përgjegjësi familjare, shpesh janë të detyruara të zgjedhin midis avancimit në karrierë dhe jetës së tyre personale për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme nga organizatat mediatike.

Media duhet të fillojë të diskutojë mënyrat për t’i mbajtur gazetaret e moshuara brenda redaksive në vend se t’i humbasin njohuritë dhe ekspertizën e tyre të çmueshme. Ngjajshëm me tregun e përgjithshëm të punës, mungesa e dukshmërisë së grave të shtyera në moshë nëpër redaksi e panele sugjeron që redaksitë gjithashtu dështojnë në akomodimin e gazetareve më të vjetra dhe me përvojë.

Kjo e fundit nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe çështje e gazetarisë cilësore. Gazetarët me përvojë sjellin një nivel thellësie, kontekst dhe kujtesë institucionale në raportimin e tyre që është e vështirë të përsëritet. Kjo pastaj është edhe pjesë e përgjegjësisë ndaj audiencës të medieve — të sigurojë gazetari që informon nga këndëvështrimet dhe përvojat e ndryshme.

Paralelisht me përmirësimin e pozitës së grave në media, redaksitë duhet të punojnë drejt një integrimi më të mirë të perspektivës gjinore në atë çfarë prodhojnë. Gjatë lajmeve ditore gratë shpesh portretizohen në mënyra që përforcojnë paragjykimet gjinore, duke ndikuar si në mënyrën se si ato perceptohen nga publiku ashtu edhe në aftësinë e tyre për të marrë pjesë plotësisht në sferat profesionale dhe politike.

Gratë janë dukshëm të nënpërfaqësuara në lajme, veçanërisht në fusha të tilla si politika, biznesi dhe shkenca. Kur gratë shfaqen në këto kontekste, fokusi shpesh zhvendoset nga arritjet e tyre profesionale ose ekspertiza në jetën e tyre personale, pamjen ose reagimet emocionale.

Për shembull, politikanet apo lideret gra mund të kritikohen për veshjen, flokët, apo sjelljen e tyre, ndërsa homologët e tyre burra gjykohen më shumë për idetë dhe politikat e tyre. Ky fokus joproporcional në aspektet sipërfaqësore minon autoritetin dhe besueshmërinë e grave, duke përjetësuar stereotipe që i bëjnë burrat si udhëheqës më kompetentë.

Mbulimi i lajmeve nga perspektiva gjinore është thelbësor për nxitjen e një përfaqësimi më gjithëpërfshirës dhe të saktë të shoqërisë. Historitë e lajmeve që pasqyrojnë përvojat, sfidat dhe arritjet e ndryshme të grave dhe burrave ndihmojnë në çmontimin e paragjykimeve gjinore të gjata që kanë formësuar perceptimin publik. Një qasje e ndjeshme gjinore ndaj mbulimit të lajmeve siguron që zërat dhe shqetësimet e grave, të cilat historikisht kanë qenë të margjinalizuara, të merren parasysh në mënyrë të barabartë. Ky ndryshim nuk është vetëm kritik për arritjen e barazisë gjinore, por edhe për përmirësimin e cilësisë dhe thellësisë së gazetarisë.

*Foto nga e nëntë feministe me ligjëruese Dafina Halilin.

Thenie nga autor/e feminist

Artikuj

Të fundit

Login

Welcome to Typer

Brief and amiable onboarding is the first thing a new user sees in the theme.
Join Typer
Registration is closed.