Sot shpalosëm dy flamura në Mitrovicë, secili me mesazh që pasqyron nevojën urgjente për ndryshime shoqërore që ky vend të jetë i jetueshëm edhe për gratë.
Në flamurin e parë: “Prej kujt tutni natën? Prej burrave?-Edhe na.” sfiduam drejtpërdrejt narrativën mbizotëruese se vetëm burrave mund të iu cenohet siguria në hapësirat publike. Duke njohur gjendjen e rënduar të sigurisë së grave dhe vajzave ne tentuam të nxjerrim në pah kërcënimin e përhapur të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale me të cilin përballemi çdo ditë. Kjo është një kërkesë e jona për njohjen e të drejtës së grave për siguri dhe autonomi, edhe gjatë natës, për me i pasë rrugët si hapësira që na takojnë neve po aq sa kujtdo tjetër.
Flamuri i dytë ka të bëj me një rast të rëndë padrejtësie që tronditi qytetin tone dy vite ma parë. Betina Ymeri, vajza 19-vjeçare nga fshati Vinarc i Mitrovicës, u vetvra për shkak të presionit psikologjik nga i fejuari i saj. Pavarësisht provave të qarta që e bëjnë atë fajtor në vetëvrasjen e saj, ai u shpall i pafajshëm në gjyq. Ky rast është epitoma e dështimeve sistematike të sistemit të drejtësisë në trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbajtjen e autorëve përgjegjës.
Këto aksione përtej qëllimit për ndërgjegjësim të masës janë edhe revoltë për drejtësi dhe ndryshime sistematike. Sot dhe cdo ditë tjetër qëndrojmë në solidaritet me të gjithë të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore dhe do të vazhdojmë të ngrisim zërin e të luftojmë derisa drejtësia të vendoset dhe gratë të mund të jetojnë një jetë pa frikë dhe terror.