Fourth Wave ka mbajtur një aksion protestues në sheshin e Klinës për të dënuar qëndrimin skandaloz të klubit futbollistik “Dukagjini”. Bëhet fjalë për futbollistin Solomon, i cili kërkohet nga Interpol për veprën penale “Dhunim” ndaj të dashurës së tij. Poashtu, ai u arrestua nga Policia e Kosovës për mosrespektimin e rregullit për tu lajmëruar cdo tre muaj në Polici.
Pavarësisht situatës, ajo që na duket vërtet e tmerrshme është mbështetja e palëkundur e shprehur nga presidenti i klubit të futbollit, i cili me guxim deklaroi: “Do të qëndrojmë pranë tij deri në fund”.
Kjo deklaratë nuk është vetëm një akt solidariteti por një përforcim i një mendësie që i jep përparësi reputacionit të një individi mbi sigurinë dhe mirëqenien e të tjerëve. Duke qëndruar pranë Solomonit, kryetari i klubit të futbollit dërgon një mesazh të rrezikshëm, se veprat penale si dhunimi mund të justifikohen dhe madje të miratohen për sa kohë që kryesi i veprës ka një status të caktuar.
Protesta jonë e sotme nuk ishte thjesht akt revolte, por thirrje për veprim. I bëjmë thirrje klubit të futbollit “Dukagjini” që të tërheqin deklaratën e tyre dhe ta përjashtojnë Solomonin.
Ne refuzojmë të mbyllim sytë përballë një sistemi që mbron abuzuesit në kurriz të viktimave dhe do të vazhdojmë të flasim kundër padrejtësisë e t’i mbajmë përgjegjës autorët.