Shëndeti menstrual: Një e drejtë, jo një tabu

Menstruacioni është një proces natyror biologjik, por për shumë vajza dhe gra ende shoqërohet me turp, mungesë informacioni dhe barriera në qasje ndaj produkteve dhe kujdesit shëndetësor. Të flasim hapur për shëndetin menstrual është një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të barabartë dhe më të informuar.

Çka është shëndeti menstrual?

Shëndeti menstrual nuk nënkupton vetëm menaxhimin e ciklit menstrual. Ai përfshin mundësinë që çdo vajzë dhe grua të ketë qasje në:
Informata të sakta dhe të kuptueshme për menstruacionet;
Produkte menstruale të sigurta dhe të përballueshme;
Ambiente të pastra me ujë, higjienë dhe privatësi;
Kujdes shëndetësor kur shfaqen probleme gjatë ciklit;
Një jetë pa turp dhe diskriminim për shkak të menstruacioneve.

Pse është i rëndësishëm edukimi menstrual?

Mungesa e edukimit menstrual mund të ndikojë në mënyrën se si vajzat e kuptojnë trupin e tyre dhe mund t’i bëjë ato të ndihen në siklet për të kërkuar ndihmë kur kanë probleme.
Dhimbjet e forta, gjakderdhja e madhe ose ndryshimet e pazakonta gjatë ciklit nuk duhet të normalizohen gjithmonë si “diçka që duhet duruar”. Kujdesi dhe informimi i hershëm ndihmojnë në identifikimin e problemeve shëndetësore.

Varfëria menstruale

Miliona persona në botë përballen me mungesë të produkteve menstruale dhe kushteve të përshtatshme higjienike. Kjo mund të ndikojë në arsim, punë dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 500 milionë persona që kanë menstruacione nuk kanë qasje në materialet dhe kushtet e nevojshme për menaxhim dinjitoz të menstruacioneve.

Si mund të kontribuojmë?
Duke folur hapur për menstruacionet.
Duke luftuar turpin dhe dezinformatat.
Duke kërkuar edukim menstrual në shkolla.
Duke mbështetur politika që sigurojnë qasje në produkte dhe kujdes shëndetësor.

Menstruacionet nuk janë problem që duhet fshehur. Shëndeti menstrual është pjesë e shëndetit të përgjithshëm dhe një çështje e barazisë gjinore.

BURIME;
https://www.who.int/vietnam/news/fact-sheets/detail/menstrual-health?
https://aa.unfpa.org/menstruationfaq?
https://www.unicef.org/wash/menstrual-hygiene

Elementor not installed
Elementor not installed